Sinjalizimi dhe zgjedhjet

Zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përbën një nga sfidat kryesore jo vetëm të shteteve në të cilat sistemet demokratike janë ende të brishta, por edhe në vendet të cilat kanë arritur të krijojnë një sistem demokratik të konsoliduar me institucione të pavarura.

Një nga komponentët e rëndësishëm, i cili konsiderohet se kontribuon në drejtim të zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është edhe sinjalizimi i akteve korruptive të kryera nga individë, të cilat konsiderohet se mund të cënojnë në mënyrë serioze mbarvajtjen dhe rezultatin e këtyre proceseve të rëndësishme.

Sinjalizuesit konsiderohen si burimi më i mirë i informacionit në lidhje me abuzime të paligjshme dhe serioze ndaj të mirës publike. Në të njëjtën kohë informacioni i besueshëm i cili raportohet herët mund të shërbejë për të parandaluar veprime të mëtejshme korruptive dhe me dëm të lartë për interesin publik.

Gjatë zhvillimit të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të zhvilluara në 3 nëntor 2020, sinjalizuesit kanë luajtur një rol të rëndësishëm, duke përfshirë edhe raste të cilat kanë evidentuar në mënyrë serioze përpjekje të qëllimshme për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.

Ajo çfarë përbën një element të rëndësishëm, por edhe të dallueshëm në praktikën e sinjalizimit në vende të zhvilluara si në rastin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është mbështetja që i jepet sinjalizuesve, veçanërisht në raportimin e akteve korruptive në procese kaq të rëndësishme siç janë zgjedhjet, por në të njëjtën kohë edhe ndërveprimi dhe promovimi i sinjalizuesve të veçantë, duke rritur në këtë mënyrë ndërgjegjësimin e individëve dhe punonjësve për të sinjalizuar.

Megjithëse në Shqipëri sinjalizimi përbën ende një praktikë të pazhvilluar, përfshirja e sinjalizimit të rasteve të korrupsionit aktiv dhe pasiv në zgjedhje, përbën një risi të shtuar në konsolidimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit mbi raportimin e veprimeve, të cilat mund të cënojnë zhvillime të rëndësishme siç janë zgjedhjet.

Specifikisht, në dhjetor të vitit 2020, në Ligjin për Sinjalizimin dhe Mbrojtjen e Sinjalizuesve u përfshi edhe raportimi i veprimeve që lidhen me korrupsionin aktiv dhe/ose pasiv në zgjedhje. Ligji Nr. 150/2020 i miratuar në 17 dhjetor 2020 u botua në Fletoren Zyrtare në datën 13 janar 2021 duke hyrë në fuqi brenda muajit janar 2021, specifikisht 15 ditë pas botimit në fletoren zyrtare.

Bazuar në dispozitat e parashikuara në këto ndryshime, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u krijua njësia përgjegjëse për marrjen dhe trajtimin e sinjalizimeve në fushën e korrupsionit aktiv dhe/ose pasiv në zgjedhje, e cila është përgjegjësë për kryerjen e hetimit administrativ të sinjalizimeve të raportuara.

Nëse njësia përgjegjëse në KQZ, në përfundim të hetimit administrativ konstaton shkelje për sinjalizimet në fushën e veprimtarisë zgjedhore, të cilat nuk përbëjnë vepër penale, vendos masë administrative me gjobë.

Në të kundërt, nëse në përfundim të hetimit administrativ njësia përgjegjëse në KQZ arrin në përfundimin se veprimi ose praktika e dyshuar, e sinjalizuar, e korrupsionit aktiv dhe/ose pasiv në zgjedhje ka elemente të veprës penale, njofton menjëherë prokurorinë.

Në përmbushje të plotë të detyrimeve që parashikuan këto ndryshime, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve miratoi nëpërmjet Urdhërit nr.139 datë 16.3.2021 “Rregulloren për hetimin administrativ të sinjalizimit, për mbrojtjen e konfidencialitetit dhe për mbrojtjen nga hakmarrja në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Gjithashtu në faqen zyrtare të institucionit u publikua gjatë muajit janar 2021 në një format elektronik online formulari i kallëzimit/ informimit/ denoncimit/ sinjalizimit të veprimeve të kundërligjshme.

Procesi zgjedhor në Shqipëri vazhdon të mbetet një proces i kontenstuar, ndërkohë që pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme në vend të mbajtura në datën 25 prill 2021, numri i krimeve zgjedhore është i lartë, duke theksuar ekzistencën e problematikave në këtë drejtim.

Vetëm gjatë periudhës mars-prill 2021 në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar janë paraqitur në total 91 materiale të cilat lidhen me kallëzime në fushën e krimeve zgjedhore, pjesa më e madhe e të cilave janë depozituar nga subjekte politike.

Edhe numri i procedimeve penale në lidhje me veprat penale që lidhen me zgjedhjet të regjistruara në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm është i lartë. Prokuroria e Përgjithshme duke filluar nga data 24 prill 2021 ka përditësuar në faqen zyrtare të institucionit të dhëna të cilat lidhen me numrin e kallzimeve mbi veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve.

Aktualisht nga raportimet e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm mbi veprat penale në fushën e zgjedhjeve për periudhën parazgjedhore dhe deri më datë 8 qershor 2021 ka rezultuar se prokuroritë kanë regjistruar 53 njoftime për vepra penale në lidhje me zgjedhjet 23 prej të cilave janë transferuar për kompetencë lëndore në Prokurorinë e Posaçmë (SPAK).

Përpos shkeljeve dhe kallzimeve që lidhen me vepra penale, të cilat cënojnë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, sinjalizimi kërkon një rritje të kulturës së ndërgjegjësimit në mënyrë të veçantë të qytetarëve, specifikisht punonjësve, të cilët konsiderohen si hallkat kryesore të përballjes me rastet e korrupsionit.

Numri i ulët i raportimeve pikërisht nga kjo kategori subjektesh siç raportohet në të dhënat e Prokurorisë së Posaçme përforcon edhe njëherë nivelin e ulët të ndërgjegjësimit të punonjësve, të cilët nën ndikimin edhe të faktorëve të tjerë edhe pse me kosto më të mëdha dhë në dëm të interesave dhe të drejtave të tyre, ngurojnë të sinjalizojnë raste të abuzimeve ndaj interesave publike.

SHARE