Ky artikull u botua fillimisht ne portalin liberale.al
nga Blendi Lami
- Identifikimi i mungesës/përmirësimit të koordinimit
Raporti “Vlerësim Bazë: Strategjia Ndërsektoriale për Luftën Kundër Krimit të Organizuar, Trafiqeve të Paligjshme dhe Terrorizmit 2013-2020”, i hartuar nga “Qendra për Studimin e Demokracisë edhe Qeverisjes”, vlerëson rezultatet e arritura gjatë zbatimit të “Strategjisë Ndërsektoriale”. Në vetvete, kjo strategji është një dokument publik, i cili mundëson prodhimin edhe publikimin e raporteve vjetore të ndërlidhura me implementimin dhe arritjet e saj. Gjetjet e këtij raporti sugjerojnë se strategjia ka një seri të metash edhe inkoherencash, të cilat bëjnë që implementimi, monitorimi edhe vlerësimi i saj të jenë veçanërisht sfidues. Inkoherencat janë të qarta edhe në ndërlidhjen e strategjisë me planet e veta të veprimit, po aq sa edhe me strategji të tjera kombëtare sektoriale, të cilat lidhen me krimin e organizuar. Një nga këto “anomali” është mungesa e koordinimit mes institucioneve, gjë që do të mundësonte zbatim më efikas të strategjisë kombëtare.
“Qendra për Studimin e Demokracisë edhe Qeverisjes” ka hartuar këtë raport, duke synuar trajtimin dhe “kurimin” e këtyre “anomalive” dhe duke adresuar çështje specifike që mund të merren në konsideratë në hartimin e strategjisë së ardhshme. Në dy takime të organizuara ditët e fundit në Korçë dhe Shkodër, u evidentua mungesa e koordinimit ndërinstitucional ose përmirësimi i këtij koordinimi mes aktorëve lokalë dhe atyre qendrorë.
Duke analizuar koordinimin ndërinstitucional përmes filtrit të gjetjeve të raportit dhe vëzhgimeve nga këto takime, bashkërendimi qendër – periferi do të ishte më frytdhënës nëse hartoheshin strategji lokale në kuadër të strategjisë kombëtare. Megjithatë, nëse këto strategji lokale janë të pamundura në kushtet e Shqipërisë, rekomandohen mekanizma të tjerë për rritjen e nivelit të koordinimin ndërinstitucional.
- Konteksti në të cilën hartohet dhe zbatohet një strategji e tillë
Kur hartohen strategji të këtij niveli, thelbësore është kuptueshmëria e pozicionimit të shtetit shqiptar. Këto strategji, përpara se të përpilohen, kanë nevojë të përfshihen në kontekste te caktuara. Kjo është një kolonë thelbësore për hartimin e çdo strategjie.
Ato hartohen duke marrë në konsideratë nivelin e (de)stabilitetit të një vendi. Stabiliteti karakterizohet nga dy komponentë thelbësorë: aftësia e shtetit për t’u bërë ballë krizave dhe aftësia e shtetit për të shmangur krijimin e krizave. Një vend është i paqëndrueshëm, nëse të dy këta komponentë nuk funksionojnë. Këto dy komponentë shërbejnë si pika referimi për hartimin e strategjive madhore, të cilat më pas do të orientojnë një vend për përballimin e sfidave të ndryshme, përfshirë fenomene me prioritet si lufta kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe terrorizmit.
Në vendet autoritare, kjo është lehtësisht e arritshme, pasi shteti kontrollon të gjitha segmentet politike, shoqërore dhe ekonomike; shtete të tilla, duke pasur problemin e mbajtjes me çdo kusht të pushtetit, e kanë të domosdoshëm stabilitetin. Vendet demokratike janë gjithashtu të stabilizuara, por për arsye të ndryshme. Megjithatë, demokracia nuk është faktori i vetëm – apo madje faktori më i rëndësishëm – që përcakton stabilitetin e një vendi. Regjimet demokratike të konsoliduara, të tilla si Shtetet e Bashkuara, Gjermania apo Holanda, garantojnë stabilitet më të lartë. Këto shtete janë në gjendje të amortizojnë goditje të forta, pa rrezikuar integritetin e tyre. Shtetet me funksionim të dobët, të tilla si Somalia, Moldavia apo Haiti, krijojnë përshtypjen se mund të rrënohen në çdo moment. Regjimet e konsoliduara autoritare, të tilla si Kuba, Uzbekistani dhe Burma, manifestojnë kapacitete shtetërore afatgjata dhe të qëndrueshme.
Një shtet i dobët si Shqipëria – në rrugën e saj drejt demokracisë dhe integrimit në botën euro-atlantike – ka për detyrë themelore vendosjen e stabilitetit. E kundërta reflekton dobësinë e shtetit dhe domosdoshmërinë për institucione të konsoliduara. Konsolidimi ka burim edhe koordinimin ndërinstitucional.
Në këtë kontekst, lind nevoja për hartimin e një strategjie të tillë, por edhe për elemente monitoruese si raporti “Vlerësim Bazë: Strategjia Ndërsektoriale për Luftën Kundër Krimit të Organizuar, Trafiqeve të Paligjshme dhe Terrorizmit 2013 – 2020”, në të cilin lexohet mes rreshtave se shtetet me instrumente të dobëta dhe të pamjaftueshme për goditjen e fenomeneve të tilla, duhet të zhvillojnë strategji në raport me çështje të sigurisë. Qasje të tilla duhet të marrin në konsideratë (a) analizimin e dinamikave të brendshme, pasi një gjë e tillë do të mundësonte vlerësim të riskut dhe pikave të dobëta; (b) identifikimin e prioriteteve të tilla si siguria, stabiliteti, reformat dhe kapaciteti i institucioneve; (c) analizën e komplesktitetit të çështjeve, gjë që do të çonte në hartimin e strategjive efektive; (d) planifikimin strategjik duke u bazuar në prioritetet dhe mangësitë; dhe (e) përdorimin apo referimin e modeleve të suksesshme që konkretizojnë strategjitë.
III. Rast referencial: strategjia “Dritaret e thyera” – Nju Jorku, nën administrimin e Rudy Giuliani-t
Gjatë mandatit të Rudy Giuliani-t si kryebashkiak i Nju Jorkut, policia zbatoi një strategji agresive të bazuar në hulumtimin “Dritaret e thyera” të studiuesit James Q. Wilson. Kjo strategji bazohej në goditjen ndaj shkeljeve relativisht të vogla, por përçonte mesazhin e mbajtjes së rendit. Në thelb, “dritaret e thyera” (“broken windows theory”) është një teori kriminologjike, e cila thekson se shenjat e dukshme të krimit, sjelljes anti-sociale dhe mosbindjes civile krijojnë një mjedis urban që nxit më tej kriminalitetin dhe kaosin, përshirë krimet e rënda. Teoria sugjeron se metodat policore që godasin krimet e vogla, ndihmojnë në krijimin e një atmosfere të karakterizuar nga zbatimi i rendit dhe ligjit, gjë që parandalon më tej kriminalitetin.
Duhet theksuar se, pasi u bë e qartë se programet policore sporadike ishin të pamjaftueshme, kjo strategji pati sukses vetëm për shkak të bashkëpunimit të game të gjerë agjencish dhe institucionesh në nivel qendror dhe lokal. Vetëm në këtë skenar, strategjia në fjalë filloi të jepte rezultatet e frytshme që njohim.
Ofrimi i këtij rasti është thjesht një shembull i spikatur i bashkëpunimit ndërinstitucional, dhe gjithashtu përçon mesazhin se strategjitë lokale janë tepër efikase në kundër të një strategjie kombëtare.
- Qasje në nivel lokal
Siç u përmend më sipër, u zhvilluan dy tryeza diskutimi me palë të interesuara në qytetet e Korçës dhe Shkodrës. Pjesëmarrësit komunikuan vlerësimet e tyre në lidhje me ecurinë e zbatimit të “Strategjisë kombëtare aktuale kundër dhe Krimit të Organizuar” dhe ofruan sugjerime mbi aspekte të caktuara në drejtim të formulimit të Strategjisë së re, hartimi dhe miratimi i së cilës do realizohet gjatë vitit 2020.
Fokus kryesor i diskutimeve ishin gjithashtu problematikat dhe specifikat që paraqet lufta ndaj krimit të organizuar në këto qytete, duke evidentuar disa nga çështjet dhe rekomandimet kryesore të tilla si: forcimi i bashkëpunimit dhe ndërveprimit ndërinstitucional, nevoja për përfshirjen dhe informimin sa më të gjerë të palëve të interesit gjatë hartimit të Strategjisë së re si edhe rëndësia për zbatimin e qasjeve të reja dhe efektive në drejtim të përmirësimit të masave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Më konkretisht, në takimin me palët e interesuara në Shkodër, u evidentuan çështje të tilla si: mungesa e legjislacionit për fuqizimin e bashkisë në luftën kundër kriminalitetit; mospërfshirja e autoriteteve vendore në hartimin e platformave kundër krimit të organizuar (ose përfshirje e pjesshme); mungesë e bashkërendimit me policinë, edhe pse ka vullnet të mirë nga bashkia; mungesë besimi nga bizneset tek policia (frikë nga grupet kriminale); nevoja për investime më të shumta në teknologji për zbulimin e krimeve (kryesisht në teknologji dhe specifikisht tek kamerat); dhe trajnimi i punonjësve të autoriteteve lokale në këtë drejtim. Ishte në fakt një sinjalizim se Shkodra kishte nevojë për një strategji lokale specifike për nevojat e saj – në kuadër të strategjisë së madhe.
Në Korçë, pjesëmarrësit u bazuan më shumë tek nevojat e policisë së shtetit; mangësia e strategjisë aktuale; mungesa e kapaciteteve policore; domosdoshmëria e përfshirjes së segmenteve të ndryshme të shoqërisë në zbatimin e strategjisë (pasi policia nuk mund të mbulojë të gjitha sektorët); ndarja e përgjegjësive sipas institucioneve; fokus për zbatimin e kësaj strategjie si hap më përpara drejt integrimit në Bashkimin Evropian (nevoja për rezultate të matshme); prirja e gabuar të policisë për të qenë më pak efektive gjatë viteve elektorale; nevoja për përfshirjen e botës akademike në hartimin e strategjive; sugjerimet për përfshirjen në kurikulat e arsimit parauniversitar të çështjeve që lidhen me zbatimin e ligjit. Edhe në rastin e Korçës do të ishte me vend që të zbatohej një strategji lokale në përputhje me nevojat e zonës.
Vihet re se strategjia duhet të ketë një qasje shumëdimensionale, duke mos pasur fokus të vetëm organet e zbatimit të ligjit si policia apo prokuroria, si dhe duke marrë në konsideratë specifikat lokale.
Pra, është e nevojshme që, në kuadër të zbatimit të strategjisë kombëtare, duhet të hartohen strategji lokale që t’u përshtaten konteksteve të caktuara. Në thelb, parandalimi i kriminalitetit kërkon një proces analitik për të vendosur shkaqet e veprimeve specifike kriminale, si dhe bashkërendimin e burimeve dhe aftësive të një game aktorësh për të zhvilluar dhe zbatuar ndërhyrje të përshtatshme. Këto kërkesa nënkuptojnë që programet e parandalimit të krimit ka më shumë të ngjarë të jenë efektive nëse zhvillohen në lokalitetet ku shfaqet problemi, sesa në nivel kombëtar. Në mënyrë të veçantë, kjo qasje nënvizon se aktorët lokalë kanë një rol kryesor në luftën ndaj krimit.
Kjo qasje bazohet edhe tek fakti se krimet ndryshojnë nga një lokalitet tek një tjetër, gjë që do të kërkonte zgjidhje të ndryshme. Qeveritë kombëtare mund të ofrojnë korniza gjithëpërfshirëse, ndërsa zbatimi realizohet në nivel lokal. Këtu marrin përparësi dy faktorë: hartimi i strategjive lokale në kuadër të strategjisë kombëtare dhe koordinimi mes institucioneve. Këta faktorë kanë prioritet, pasi politikëbërësit në nivel qendror duket të marrin në konsideratë se vetëm aktorët lokalë kanë pozicionin e duhur për të përcaktuar prioritetet e duhura për parandalimin e kriminalitetit në lokalitete të caktuara.
- Rekomandim për koordinimin institucional
Në këtë kuadër, një ndër objektivat kryesore të strategjisë, është: “Forcimi i koordinimit ndërinstitucional ne luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit”, dhe produktet i këtij objektivi do të ishin: “Koordinimi ndërinstitucional do të synojë përmirësimin e organizimit dhe koordinimit të veprimtarisë në luftën kundër krimit te organizuar, trafiqeve te paligjshme, akteve terroriste, krimit ekonomiko-financiar dhe korrupsionit si dhe hetimit të aseteve kriminale, në rritjen e shkëmbimit të informacioneve, realizimin e aktiviteteve trajnuese dhe analizave te përbashkëta, rritjen e aksesit në database-t e secilit institucion, si dhe vazhdimin e raportimit të statistikave të përbashkëta.” Siç demonstrohet qartë nga indikatorët e performancës të ofruara në raport, ky koordinim ka mangësi (objektivi specifik është formuluar me fokus parandalues; jo të gjithë objektivat specifikë kanë një indikator përkatës të performancës; nuk mund të gjenden të dhëna publikisht të disponueshme për të vlerësuar implementimin e indikatorëve të performancës; apo disa nga indikatorët e performancës janë të njëjtë, kanë të njëjtën bazë, por formulim të ndryshëm).
Në këtë kontekst, vërehet një përkim mes vlerësimit në raport – me metoda shkencore – të këtij dimensioni të strategjisë, dhe qëndrimeve të grupeve të interesit në të dy takimet e zhvilluara në Korçë dhe Shkodër.
Sigurisht, hartimi i strategjive lokale është një sfidë e madhe kryesisht për vende në zhvillim si Shqipëria, pasi aktorët lokalë nuk zotërojnë gjithmonë kapacitetet e nevojshme ligjore dhe logjistike. Pavarësisht prirjes për hartimin e strategjive lokale – tepër domethënëse për zbatimin e suksesshëm të një strategjie kombëtare të këtyre përmasave –, të paktën, në mjedisin shqiptar, koordinimi duhet të ketë prioritet të madh, sidomos në rastin e parandalimit të krimeve.
Kështu, aktorët lokalë kanë rol domethënës në koordinimin e ndërhyrjeve për parandalimin e kriminalitetit. Prandaj, ata mund të ndërmarrin iniciativa për përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional, duke iniciuar forume mes qeverisë qendrore dhe lokale, dhe pastaj mes vetë aktorëve lokalë, me qëllim që të evitohet mbivendosja e detyrave; dhe duke ndjekur praktikat më të mira – projekte që duhen harmonizuar me strategjinë e madhe. /Gazeta Liberale