Ky artikull u botua fillimisht ne portalin liberale.al
nga Blendi Lami
Në formatin aktual të botës së sotme, shumë sfida si krimi i organizuar, terrorizmi apo trafiqet e paligjshme kanë natyrë transnacionale, pasi i kanë kapërcyer kufijtë shtetërorë. Në raportin “Vlerësim Bazë: Strategjia Ndërsektoriale për Luftën Kundër Krimit të Organizuar, Trafiqeve të Paligjshme dhe Terrorizmit 2013 – 2020”, i hartuar nga “Qendra për Studimin e Demokracisë edhe Qeverisjes”, bie në sy një rekomandim me shumë peshë: “. . . nuk merret në konsideratë natyra transnacionale e krimit të organizuar, i cili, sipas strategjisë, luan një rol kryesor në zhvillimin e veprimtarive të krimit të organizuar në Shqipëri”. Ka shumë rëndësi që në hartimin e strategjive të tilla, të merret në konsideratë mënyra se si funksionon sot rendi botëror, dhe bashkë me të edhe sfidat që e shoqërojnë – sfida me natyrë transnacionale.
Pikësëpari, në botën e sotme që zhvillohet me ritmin teknologjik, është e domosdoshme të bëhet ndarja operacionale ndërmjet termave krim i organizuar dhe krim transnacional i organizuar; në rastin e dytë, kriminaliteti në një vend merr një dimension ndërkombëtar. Trajtimi i këtij dimensioni është i rëndësishëm, sepse, falë mundësive të shumta të krijuara nga transaksionet ndërkombëtare, shkeljet me natyrë transnacionale janë shtuar.
Mund t’i referohemi – për shembull – përkufizimit që këtij termi në strategjinë amerikane të përpiluar për parandalimin e krimit transnacional: “Krimi i organizuar transnacional u referohet grupimeve të individëve që veprojnë në mënyrë transnacionale me qëllim të zotërimit të pushtetit, influencës, fitimeve monetare dhe/ose tregtare, tërësisht ose pjesërisht nga mjete të paligjshme, duke mbrojtur aktivitetet e tyre përmes një modeli të korrupsionit dhe/ose dhunës, ose ndërsa mbrojnë aktivitetet e tyre të paligjshme përmes një strukture organizative transnacionale dhe shfrytëzimit të tregtisë transnacionale ose mekanizmave të komunikimit.” Referuar më tej kësaj strategjie, këto grupe janë sofistikuar me kalimin e kohës dhe, për të përmbushur objektivat e tyre, tentojnë të ushtrojnë dhunë ose të kryejnë akte të tjera për të intimiduar; shfrytëzojnë dallimet ndërmjet vendeve për të fuqizuar organizatat, për të rritur pushtetin dhe për të shmangur kapjen; fitojnë influencë në qeveri, politikë dhe biznes përmjet mjeteve korruptuese; kanë përfitime ekonomike jo vetëm nga aktivitete të paligjshme, por edhe nga investime të ligjshme. Këto definicione jepen thjesht për të dhënë një panoramë sa më të qartë të një qasje shumëdimensionale – tepër e nevojshme – kur hartohen strategji të tilla.
Në strategjinë e sigurisë kombëtare të Shqipërisë thuhet se “krimi i organizuar në format e trafikimit të drogës, të armëve të zjarrit, municioneve dhe personave mbetet një faktor me rrezikshmëri të lartë”, por pavarësisht se “ka fituar pushtet ekonomik dhe përdor presione të shumëllojshme për të shmangur kundërvënien e agjencive ligjzbatuese, ndihmohet nga kushtet e paqëndrueshme social-ekonomike dhe mangësitë institucionale të strukturave ligjzbatuese” dhe “cënon integritetin e proceseve publike demokratike, qëndrueshmërinë e sistemit financiar, zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, si dhe besueshmërinë e qeverisjes”, ai nuk trajtohet në terma të një krimi të organizuar transnacional.
Edhe në “Strategjinë Ndërsektoriale për Luftën Kundër Krimit të Organizuar, Trafiqeve të Paligjshme dhe Terrorizmit 2013 – 2020”, krimi i organizuar nuk trajtohet aspak në termat transnacionalë (siç edhe theksohet në “Vlerësimin bazë”. Për shembull: në “Strategjinë Ndërsektoriale” theksohet se “. . . duke qene se krimi i organizuar dhe terrorizmi përbejnë një kërcënim serioz afatgjatë për institucionet, shoqërinë, ekonominë dhe cilësinë e jetës në Shqipëri, kjo strategji synon të zvogëlojë kërcënimin dhe ndikimin e krimit te organizuar dhe terrorizmit në mjedisin tonë shoqëror”, gjë që nënkupton se nuk merret plotësisht në konsideratë dimensioni ndërkombëtar i krimit të organizuar.
Kërcënimet që vijnë nga krimi i organizuar transnacional për sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare, janë krejt të ndryshme nga kërcënimet e së kaluarës. Organizatat kriminale kryejnë aktivitetet e tyre në një “botë pa kufi”, ndërsa – në bazë të shumë raporteve – organet ligjzbatuese e kanë të kufizuar punën e tyre në shkallë të konsiderueshme në “një botë me kufi”.
Organizatat e sotme kriminale janë në gjendje të shfrytëzojnë dobësinë politike dhe kalbëzimin e autoritetit – fenomene që ndodhin për arsye të brendshme të lidhura kryesisht me paaftësinë e politikës për të menaxhuar shtetin, dhe arsye të jashtme të lidhura kryesisht me forcën e globalizimit që bazohet kryesisht tek faktorë të tillë si zhvillimi i tregtisë globale, lëvizjet individuale dhe komunikimet e teknologjisë së lartë. Jo më kot, shumë analistë “epokën e shtet-kombit të dështuar” e kanë quajtur gjithashtu “epoka e krimit të organizuar transnacional”.
Për një këndvështrim sa më të qartë për dimensionin transnacional të krimit të organizuar, hartuesit e politikave dhe ligjvënësit në Shqipëri, përpara se të hartojnë dhe votojnë dokumente me rëndësi vitale për vendin, duhet të kuptojnë edhe gjeopolitikën e re të sistemit financiar global – habitati i sotëm i grupeve të sofistikuara kriminale që cënojnë sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare. Ky sistem ofron mundësi të shumta për fshehjen apo transferimin e fondeve. Përveç sistemit bankar offshore, rrjetet elektronike të transferimit të parave (megabyte money) janë të vështira për t’u kontrolluar. Për më tepër, shfaqja e të ashtuquajturve “qytete globale” ka bërë të mundur rritjen e ndërveprimit mes grupeve të ndryshme dhe infiltrimin e grupeve kriminale në qendrat urbane. Grupe të tilla krijojnë ekonomi paralele, gjë që sjell ndikim negativ sidomos në ekonomitë e vendeve në zhvillim, ku përfshihet edhe Shqipëria.
Kriminaliteti përshtatet në rrethana të shumta, duke përfshirë edhe pandemisë aktuale. Referuar Global Initiative, pandemia Covid-19 ka ndikuar edhe në formatimin e krimit të organizuar. Reagimi institucional ndaj pandemisë dhe riformulimi i normave social-ekonomike në të gjithë botën do të ndikojë jo vetëm në funksionimin e rrjeteve kriminale, por edhe në natyrën e përpjekjeve që bëjnë organet e zbatimin e ligjit për t’iu kundërvënë këtyre rrjeteve. Nga njëra anë, pandemia ka krijuar pengesa për disa aktivitete të organizuara kriminale. Këto ndryshime mund të sjellin pasoja afatgjata. Angazhimi i burimeve shtetërore – veçanërisht mekanizmave policore – duket se ka ndikuar ndjeshëm në mënyrën e reagimeve të shtetit ndaj grupeve kriminale. Nga ana tjetër, pandemia ka krijuar kushte të favorshme për veprimtarinë e grupeve të tjera. Grupet vulnerabël, përfshirë migrantët, refugjatët dhe viktimat e trafikut njerëzorë, janë bërë pre e këtyre grupeve.
Në qershor, Bashkimi Evropian kallëzoi në Gjykatën Evropiane disa vende anëtare, për shkak se nuk iu ishin përmbajtur rregulloreve kundër pastrimit të parave. Sipas Michael Miklaucic, “kjo është një kambanë alarmi për të na kujtuar se, ndërsa qeveritë janë të fokusuara me të drejtë në përballimin e pandemisë Covid-19, pandemi të tjera vazhdojnë të përhapen. Grupet transnacionale të krimit të organizuar shfaqin gjenialitet për të monetizuar (përfituar) nga situata të brishta, dhe pa dyshim do të gjejnë mënyra të panumërta për të përfituar nga pandemia e Coronavirus-it”.
Prandaj, është e domosdoshme që, gjatë hartimit të strategjive kombëtare – qoftë një strategji ndërsektoriale qoftë një strategji kombëtare – të merret në konsideratë natyra transnacionale e krimit të organizuar. Ky i fundit ka një lidhje simbiotike me strukturat e dobëta shtetërore. Strategji të tilla efektive synojnë të fuqizojnë strukturat qeverisëse dhe të dobësojnë elemente negative për shtetin si krimi transnacional.
Në seksionin e strategjisë amerikane kundër krimit transnacional thuhet se “krimi i organizuar transnacional paraqet një kërcënim domethënës dhe në rritje për sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare, me implikime të mëdha për sigurinë publike, shëndetin publik, institucionet demokratike dhe stabilitetin ekonomik në të gjithë globin. Jo vetëm që rrjetet kriminale po zgjerohen, por ato gjithashtu po diversifikojnë aktivitetet e tyre, duke rezultuar në konvergjencë të kërcënimeve që sot kanë efekte destabilizuese”.
Duke qenë se institucione të shumta ndërkombëtare e kanë klasifikuar krimin e organizuar si pengesë për integrimin dhe zhvillimin e Shqipërisë, trajtimi i mjedisit të brendshëm dhe zhvillimeve jashtë kufijve (në nivel rajonal, evropian dhe global) – të ndërthurura me identifikimin dhe artikulimin e interesave kombëtare – do të gjeneronin strategji të mirëfillta.
Raporti “Globalizimi i krimit”, i realizuar nga UNDOC (Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin), nënvizon se “qeverisja globale nuk ka mundur të ruajë ritmin e globalizmit ekonomik” dhe “krimi i organizuar është diversifikuar, vepron tashmë në rang global dhe ka arritur proporcione makro-ekonomike”. Për këto arsye, “pa një perspektivë globale nuk mund të hartohet një strategji e mirëfilltë”.