- April 5, 2021
- Posted by: csdg2023
- Categories: Articles, Commentary, Publications, Whistleblowing

Pandemia COVID-19 ridimensionoi në mënyrë thelbësore një sërë aspektesh të jetës së njerëzve në të gjithë botën, ndër të cilat edhe mënyrën e të punuarit dhe marrëdhëniet ndërmjet punonjësve dhe drejtuesve të tyre. Riorganizimi i aktivitetit profesional dhe nevoja për të ruajtur kërkesat dhe efiçencën e kërkuar edhe në kushtet e vështira të një pandemie globale, shfaqën vështirësi dhe sfida të reja në lidhje me mbarvatjen e punës.
Këtij realiteti të ri ju shtuan edhe kërkesa të tilla si, distancimi social, mbajtja e paisjve personale mbrojtëse, mbajtja e higjenës personale etj., duke përfshirë këtu edhe respektimin e kufizimeve të vendosura si pasojë e situatës së krijuar.
Në kushtet e një emergjence të tillë globale, vështirësitë e krijuara sollën problematika të lidhura jo vetëm më mosrespektimin e kufizimeve apo rregullave të vendosura, por në shumë raste sollën abuzim me gjendjen e re të krijuar, duke sjellë për pasojë edhe rritjen e numrit të punonjësve të cilët kanë denoncuar abuzime konkrete në vendin e tyre të punës.
Protect është një shoqatë bamirësie për sinjalizimin në Britani, e cila që nga viti 1993 nëpërmjet një Linje Këshillimi konfidenciale falas ka mbështetur sinjalizues, të cilët kanë raportuar raste abuzive korruptive në vendet e tyre të punës. Çdo vit këshilluesit e kësaj organizate kanë trajtuara më shumë se 3,000 raste dhe deri në tetor 2020 kanë mbështetur rreth 45,000 sinjalizues.
Një studim i kryer gjatë periudhës së pandemisë Covid-19 në Britani dhe raporti i publikuar nga kjo organizatë në tetor 2020, pasqyron të dhëna mjaft domethënëse në drejtim të sinjalizimeve të kryera nga sinjalizues në lidhje me dy aspekte kryesore që lidhen me: 1) raportimet për mashtrim për lejen e liridaljes dhe 2) raportimet në drejtim të rritjes së riskut ndaj sigurisë publike (ku ndër të tjera përfshihen mbajtja e paisjeve personale mbrojtëse dhe mungesa e distancimit social në vendin e punës).
Ajo që raporti evidenton si mjaft shqetësues është përqindja e lartë e numrit të sinjalizimeve të refuzuara nga punëdhënësit në lidhje me dy aspektet kryesore të përmendura më lart. Specifikisht, 41% e sinjalizuesve, të cilët kanë raportuar tek punëdhënësi i tyre shqetësime të lidhura me Covid-19 nuk janë marrë në konsideratë. Pjesa më e madhe e sinjalizimeve të adresuara gjatë periudhës së Covid-19 i referohen rasteve të lidhura me sigurinë publike, nga të cilat 43% janë refuzuar.
Përveçe me një ndikim negativ në nxitjen e punonjësve për raportimin apo denoncimin e rasteve abuzive në vendin e tyre të punës, raporti konkludon që mos marrja në konsideratë e sinjalizimeve në kushtet e një pandemie globale mund të përbëjë një risk serioz në rritjen e përqindjes së abuzimeve të punëdhënësve duke ndikuar gjithashtu edhe në efektivitetin dhe cilësinë e marrëdhënieve të punës.
Shqipëria konfirmoi dy rastet e para me Covid-19 në datën 8 mars 2020, ndërkohë që në mesditën e 11 marsit u shënua vdekja e parë në qytetin e Durrësit si pasojë e Covid-19. Ekzistenca e vështirësive të cilat lidhen me situatën ekonomike dhe kushtet specifike të sistemit shëndetësor, e bëjnë Shqipërinë edhe më të ndjeshme ndaj problematikave dhe rasteve konkrete të krijuara si pasojë e pandemisë Covid-19, por ndërgjegjësimi i ulët i punonjësve përbën një sfidë edhe më të vështirë në adresimin e këtyre rasteve.
Vendosja e kufizimeve si pasojë e pandemisë Covid-19 në mars 2020 në Shqipëri krijoi diskutime të shumta në lidhje me respektimin e të drejtave civile dhe politike, ndërkohë që ushtrimi i pushtetit ekzekutiv gjatë kësaj periudhe u konsiderua gjerësisht i pakontrolluar. Në tërësi ndikimi në situatën ekonomike, por edhe manaxhimi i situatës nxorën në pah brishtësinë e institucioneve demokratike në Shqipëri. Shkarkimi i dy mjekëve të cilët denoncuan problement për përballimin e pandemisë, evidenton vetëm një nga rastet në këtë drejtim.
Megjithëse ende në mungesë të të dhënave zyrtare për numrin e sinjalizimeve gjatë vitit 2020, ndërgjegjësimi dhe kultura e ulët në këtë drejtim, vazhdojnë të ndikojnë në praktikën e dobët të sinjalizimit në Shqipëri. Edhe pse pandemia Covid-19 në një mënyrë ose tjetër ka vështirësuar raportimin e rasteve të sinjalizimit edhe në vende me një praktikë më të zhvilluar në këtë drejtim, shkaqet më lart mund ta dobësojnë edhe më shumë përpjekjen dhe nxitjen e punonjësve në Shqipëri për raportimin e rasteve serioze, të cilat në periudha të jashtëzakonshme të tilla si pandemia mund të shndërohen në një abuzim më të madh dhe me kosto më të larta.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.