
Barometri i Sigurisë Shqipëri 2024
Mbështetur nga:Friedrich Ebert Stiftung (FES) Tirana
ProjektiMeasuring citizens' attitudes towards security and justice in Albania
Që prej vitit 2019 Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes ka publikuar Barometrin e Sigurisë, një anketë kombëtare për sigurinë, e cila mat qëndrimet, opinionet dhe perceptimet e qytetarit shqiptar për aspekte të ndryshme të sigurisë.
Analiza e Barometrit të Sigurisë ndjek qasjen e reformës në sektorin e sigurisë, e cila përkufizohet si një proces politik dhe teknik i përmirësimit të sigurisë shtetërore dhe njerëzore duke zbatuar parimet e qeverisjes së mirë në sektorin e sigurisë.[1] Bazuar në këtë qasje, Barometri i Sigurisë eksploron ofrimin e sigurisë nga institucionet përkatëse qeveritare, përgjegjësinë e tyre mbikëqyrëse brenda kornizës së kontrollit civil demokratik, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Ngjarjet e fundit ndërkombëtare si pandemia e COVID-19, migrimi, ndryshimet klimatike, agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, kriza në Lindjen e Mesme, konkurrenca në rritje midis demokracive dhe autoritarizmit, e kanë sjellë sigurinë gjithnjë e më shumë në epiqendrën e shqetësimeve të qytetarëve. Qeveritë po i përgjigjen këtyre shqetësimeve duke mbështetur sigurinë përmes një sërë reformash që synojnë të trajtojnë ndryshimet klimatike, migracionin, qëndrueshmërinë shoqërore ndaj ndikimeve malinje dhe së fundmi, rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen dhe sigurinë.
Ky edicion i Barometrit të Sigurisë fokusohet në disa tema, shumica e përshtatur kryesisht nga këndvështrimi i sigurisë njerëzore. Qasja e sigurisë njerëzore e zhvilluar nga Kombet e Bashkuara është plotësuese me qasjen e sigurisë shtetërore dhe bazohet në premisën se privimet e sigurisë njerëzore mund të dëmtojnë paqen dhe stabilitetin brenda dhe ndërmjet shteteve. Kuadri i sigurisë njerëzore ofron një qasje gjithëpërfshirëse, të përqendruar te njerëzit dhe të orientuar nga parandalimi, që përfshin kërcënimet në shtatë fusha: siguria personale, siguria e komunitetit, siguria politike, siguria ekonomike, siguria ushqimore, siguria shëndetësore, siguria mjedisore.[2]
Ndër fushat e sigurisë njerëzore, ky edicion i Barometrit të Sigurisë fokusohet në sigurinë politike, sigurinë ekonomike, sigurinë ushqimore, sigurinë shëndetësore dhe sigurinë personale, megjithëse kjo e fundit është analizuar nga një këndvështrim më i ngushtë i maskulinitetit, i cili mund të luajnë një rol në nxitjen e konfliktit dhe pasigurisë.
Së pari, barometri shqyrton perceptimin e qytetarëve për kërcënimet e sigurisë në nivel kombëtar dhe ndikimin e perceptuar të vendeve të ndryshme me ndikim global ose rajonal dhe vendeve të Ballkanit në Shqipëri. Duke pasur parasysh natyrën specifike të marrëdhënieve me Kosovën dhe Serbinë, kjo anketë shqyrton edhe opinionet e qytetarëve për marrëdhëniet e tanishme dhe të ardhshme me këto vende.
Së dyti, anketa fokusohet në aspekte që lidhen me sigurinë politike. Pyetjet në këtë pjesë të anketës synojnë të kapin opinionet e qytetarëve për përfaqësimin politik dhe vlerat demokratike, fuqizimin e qytetarëve dhe mbështetjen e tyre për politikën, si dhe pikëpamjet e tyre mbi performancën e qeverisë në fushat përkatëse të politikave për sigurinë njerëzore dhe pavarësinë politike të SPAK dhe Gjykatave të Posaçme.
Në vijim, anketa fokusohet në sigurinë ekonomike. Pyetjet në këtë seksion synojnë të kuptojnë se sa të sigurt ndihen qytetarët shqiptarë për sa i përket mjaftueshmërisë dhe stabilitetit të të ardhurave të tyre aktuale dhe të ardhshme, si dhe sigurinë e tyre të punësimit.
Siguria ushqimore fokusohet në mjaftueshmërinë dhe cilësinë e ushqimit dhe në sigurinë e produkteve të konsumatorëve ushqimorë.
Siguria shëndetësore fokusohet në çështjet që lidhen me aksesin dhe cilësinë e shërbimeve të kujdesit shëndetësor në Shqipëri, si dhe pasigurinë e qytetarëve lidhur me mundësinë e tyre për të aksesuar shërbime të tilla.
Tema e mëposhtme eksploron sigurinë personale dhe të komunitetit nga këndvështrimi i maskulinitetit. Disa studime kërkimore tregojnë se normat gjinore të ndërtuara nga shoqëria e lidhin maskulinitetin me pushtetin, dhunën dhe kontrollin dhe lënia e paadresuar e këtyre normave mund të luajë një rol në nxitjen e konfliktit dhe pasigurisë. Ky seksion i anketës përpiqet të eksplorojë më thellë në gjetjet e Barometrit të Sigurisë 2022 mbi sigurinë dhe integrimin gjinor.
Tema e fundit e këtij Barometri të Sigurisë synon të kapë mbështetjen dhe pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë për procesin e anëtarësimit në BE. Agjenda e anëtarësimit në BE ka fituar një vrull të ri veçanërisht për shkak të luftës në Ukrainë, duke e lidhur këtë proces me shqetësimet e sigurisë që mund të prekin rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Qëllimi i Barometrit të Sigurisë është të ofrojë një kuptim më të mirë të perceptimeve dhe opinioneve të qytetarëve mbi kërcënimet dhe sfidat kryesore të sigurisë dhe të lejojë politikëbërësit dhe institucionet qeveritare të ndërmarrin politika të cilat bazohen në të dhëna për të adresuar dhe për t’iu përgjigjur këtyre kërcënimeve dhe sfidave.
[1] Security Sector Reform. SSR Backgrounder Series. CAF – Geneva Centre for Security Sector Governance. Geneva: DCAF, 2019.
[2] Haq, M., Kaul, I., Menon, S., & Jahan, S. (1994). Human Development Report 1994: New dimensions of human security. New York: UNDP.