Zbatimi i Ligjit për Sinjalizimin dhe Mbrojtjen e Sinjalizuesve në institucionet e sigurisë është konsideruar edhe më sfidues pasi përveç problematikave të përgjithshme që lidhen me nivelin e ulët të ndërgjegjësimit dhe informacionit, institucionet e sigurisë karakterizohen nga specifika të tjera, të cilat e bëjnë më të vështirë përcaktimin e një ekuilibri ndërmjet interesit publik dhe sekretit duke krijuar një pengesë shtesë për punonjësit që dëshirojnë të raportojnë korrupsionin dhe/ose forma të tjera të sjelljes së paligjshme.

Nisur nga këto faktorë shtesë, rastet e para të sinjalizimit në sektorin e sigurisë u regjistruan për herë të parë gjatë vitit 2020, thuajse pas 5 vitesh nga zbatimi i Ligjit për Sinjalizimin dhe Mbrojtjen e Sinjalizuesve. Në raportin vjetor të vitit 2020, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) raportoi për 2 raste sinjalizimi të ardhura nga njësia e brendshme e raportimit e ngritur në institucionin e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA).

SHÇBA institucion, i cili ushtron veprimtarinë e tij ndaj strukturave të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe strukturës së Mbrojtjes nga Zjarri dhe për Shpëtimin (PMNZSH), ka qenë një nga institucionet kryesore të targetuara në kuadër të projektit “Forcimi i integritetit në Sektorin e Sigurisë në Shqipëri përmes përmirësimit të Kapaciteteve të Sinjalizimit” që CSDG zbatoi gjatë periudhës nëntor 2018 – shtator 2019.

Qëllimi kryesor i këtij projekti ishte mbështetja e institucioneve të sigurisë në Shqipëri për zbatimin në mënyrë efektive të legjislacionit mbi sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve. Nga takimet e zhvilluara me punonjës përgjegjës nga SHÇBA gjatë muajit dhjetor 2018, u evidentua niveli i ulët i informacionit dhe ndërgjegjësimit mbi ligjin dhe për rrjedhojë edhe mungesa e rasteve të sinjalizimit.

Udhërrëfyesi për Sinjalizimin dhe Sinjalizuesit në Sektorin e Sigurisë si dhe një sërë materialesh të tjera informative dhe promovuese kane qënë disa nga produktet kryesore të këtij projekti me të cilat punonjësit e institucioneve të targetuara janë njohur gjatë periudhës së zbatimit të projektit.

Megjithëse zbatimi i Ligjit për Sinjalizimin dhe Mbrotjen e Sinjalizuesve vazhdon të mbetet i dobët, evidentimi i 2 rasteve të sinjalizimit në sektorin e sigurisë përbën një zhvillim pozitiv në drejtim të rritjes së ndërgjegjësimit për raportimin e rasteve korruptive në këtë sektor. Në të njëjtën kohë, ky fakt mund të shërbëjë si një shtysë e mëtejshme edhe për punonjës në institucione të tjera të sigurisë, të cilat ushtrojnë kompetenca dhe ofrojnë shërbime të rëndësishme publike.

Gjithashtu, duke qenë se raportimi i rasteve korruptive përbën një fenomen me pasoja negative jo vetëm në financat publike, por edhe aspekte të tjera të veprimtarisë së një institucioni apo organizate, ndjekja dhe dhënia e informacionit mbi ecurinë e trajtimit të rasteve të sinjalizimit përbën një faktor të rëndësishëm në promovimin e rasteve specifike, por edhe në evidentimin e rezultateve që synon të sjellë vetë ligji dhe praktika e sinjalizimit.

SHARE