Klea Xhaferi

Korrik, 2020

Nevoja për një reformë zgjedhore

Zgjedhjet e lira dhe te ndershme kanë qenë kryefjala e çdo viti elektoral në Shqipëri, premtim i çdo partie qeveritare dhe sot e kësaj dite mbeten një ëndërr e parealizuar për shqiptarët. Pothuajse çdo vit skandalet elektorale kanë qenë të pranishme në mediat kombëtare, por publikimi i disa regjistrimeve telefonike në gazetën gjermane Bild, me tematikë kryesore manipulimin e zgjedhjeve, tërhoqi një vëmendje shumë të madhe nga të gjithë aktorët politikë dhe shoqëria civile në Shqipëri. Zhvillimet politike të këtij viti nuk ishin edhe aq pozitive për demokracinë shqiptare: dorëzimi i mandateve nga opozita, niveli i ulët i pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale të vitit 2019, përplasjet mes pushteteve të ndryshme; të gjitha këto çuan në rifillimin e procesit të reformës zgjedhore, prej së cilës opozita u tërhoq në dhjetor 2018.

Grupi i punës i ngritur për të reformuar Kodin Zgjedhor ka si synim kryesor përmirësimin e legjislacionit, për të siguruar mekanizma funksional ligjor që do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Propozimet kanë qenë të shumta dhe targetojnë aspekte të ndryshme, që nga sistemi zgjedhor dhe deri në teknikalitet për të shmangur vjedhjen e zgjedhjeve ose manipulimin e rezultateve. Një nga projekt amendamentet e propozuar nga opozita shqiptare, në kuadër të reformës zgjedhore, ka qenë shtimi i dy neneve në Kodin Zgjedhor për sinjalizuesit e krimeve elektorale.

Sipas këshillit të mbledhur për reformën zgjedhore, këto propozime nuk do të përfshihen në kodin e ri zgjedhor, por do t`i shtohen ligjit nr. 60/2016 “Për sinjalizuesit dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, pas miratimit të tyre nga Parlamenti. Kjo nismë legjislative, nëse miratohet, do të jetë një garanci shtesë për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike në vend dhe do të ndihmojë në promovimin e mëtejshëm të rolit të sinjalizuesve në shoqëri, por rezultatet konkrete të kësaj inisiative të ndërmarrë shtrojnë një pikëpyetje të madhe, duke patur parasysh nivelin e zbatimit të ligjit nr. 60/2016 deri më tani, kulturën e denoncimit në Shqipëri dhe mungesën e ndërgjegjësimit publik mes qytetarëve për rëndësinë e sinjalizimit dhe denoncimeve.

Sinjalizimi- përkufizimi dhe nevoja publike

Korrupsioni, karakteristikë kryesore e vendeve post komuniste gjatë fazës së tranzicionit, së bashku me keqqeverisjen, mungesën e transparencës dhe llogaridhënies, janë ndër faktorët që mbajnë peng zhvillimin e demokracisë në vendin tonë. Sinjalizuesit nga ana tjetër kanë një rol shumë të rëndësishëm në ekspozimin e korrupsionit dhe veprimeve të tjera që cenojnë interesin publik. Duke raportuar raste të korrupsionit që ndodhin në ambientet e tyre të punës ose kur bien në kontakt me zyrtarë të administratës publike, sinjalizuesit ndihmojnë fondet publike nga përvetësimi për interesa vetjakë. Por, si pasojë e veprimeve të tyre ndaj tyre mund të ndërmerren masa të ndryshme, si psh: mund të pushohen nga puna, të paditen, të vendosen në listë të zezë, të arrestohen, të kërcënohen ose, në raste ekstreme, të sulmohen fizikisht.

Mbrojtja e sinjalizuesve nga të tilla hakmarrje mund të promovojë dhe të ndërgjegjësojë punonjësit ose persona të tjerë të përfshirë në ekspozimin e rasteve të korrupsionit, por dhe të rrisë nivelin e transparencës dhe të përgjegjshmërisë në qeveri dhe korporatat private. Prandaj, mbrojtja e të dhënave të sinjalizuesve është një mjet kryesor për të forcuar zbatimin efektiv të ligjit dhe garantimin e rendit demokratik. Me këtë qëllim u hartua dhe ligji nr. 60/2016 “Për sinjalizuesit dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”: për të parandaluar dhe goditur korrupsionin në sektorin publik e privat, për të nxitur sinjalizimin e veprimeve apo praktikave të dyshuara të korrupsionit si dhe për të mbrojtur individët që sinjalizojnë këto praktika.

Me sinjalizim sipas nenit 3 të këtij ligji do të nënkuptojmë raportimin e informacionit nga ana e sinjalizuesit te njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja për veprime apo praktika të dyshuara korrupsioni, të kryera në vendin e tij të punës në autoritetin publik apo subjektin privat. Rrjedhimisht, sinjalizues ose denoncues i praktikave korruptive mund të jetë individi, i cili aplikon ose është në marrëdhënie pune, ose ka punuar më parë pranë autoritetit publik apo subjektit privat, pavarësisht nga natyra e marrëdhënies së punës ose kohëzgjatjes së saj, si dhe nëse paguhet ose jo.

Me amendamentet e propozuara nga Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore të cilat parashikohen t`i shtohen ligjit nr. 60/2016, do të sigurohet një shtrirje më e gjerë dhe më specifike e subjektit të sinjalizuesve, duke shtuar si kategori të veçantë sinjalizuesit elektoralë (personat e lidhur me procesin zgjedhor në marrëdhënie punësimi ose vullnetare, që denoncojnë praktika të dyshuara korruptive). Kjo kategori, edhe pse e veçantë do të ketë po të njëjtën mbrojtje ligjore si sinjalizuesit e tjerë të ligjit: ata do të gëzojnë të drejtën e konfidencialitetit gjatë procesit të sinjalizimit, që përfshin gjithashtu mundësinë e sinjalizimit anonim të një veprimi ose praktike të dyshuar korrupsioni; do t`u garantohet mbrojtja ndaj veprimeve hakmarrëse që mund të merren kundrejt tyre si në marrëdhënien e punësimit ashtu edhe jashtë saj, si psh. ndjekja penale për vepra si shpifja, fyerja apo kallëzimi i rremë, duke e konsideruar sinjalizimin, si një ushtrim të një të drejte të përcaktuar nga ligji.

Në këndvështrim të ligjit nr. 60/2016, sinjalizimi elektoral duhet të bjerë në kategorinë e sinjalizimit të jashtëm, kjo edhe për të rritur efektivitetin e zbatimit të këtij propozimi nëse miratohet. Edhe pse propozuesit e amendamentit nuk janë shprehur për këtë pjesë, dy janë opsionet e sinjalizimit elektoral: E para është sinjalizimi i brendshëm. Nëse sinjalizimi elektoral do të konsiderohet i brendshëm, do të duhet që njësia përgjegjëse për zhvillimin e hetimit të jetë një njësi e krijuar brenda Kolegjit Zgjedhor, si organi mbikëqyrës për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Nëse do të jetë ky opsion, do të ketë shumë pikëpyetje që do të ngrihen në lidhje me integritetin dhe paanshmërinë e njësisë përgjegjëse në shqyrtimin e sinjalizimit ose provave të sinjalizuesit, për të garantuar më pas një hetim të drejtë dhe të paanshëm. Gjithashtu vetë nevoja e diktuar për të patur një instrument si ai i sinjalizuesve, tregon që organizmat ligjorë përgjegjëse për të kontrolluar manipulimet ose vjedhjet e zgjedhjeve, kanë qenë të paafta deri më tani për të zbuluar rastet e tilla ose nuk kanë patur inisiativë për t`i ndjekur ato. Kjo mjafton si arsye për të përjashtuar opsionin e parë të sinjalizimit të brendshëm. Ndërsa në skenarin e dytë, ku sinjalizimi elektoral do të jetë i jashtëm, institucioni përgjegjës për hetimin e këtyre rasteve do të jetë Instituti i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI). Vetë ILDKPKI duke qenë një institucion i pavaruar do të rriste besimin te qytetarët se hetimi do të ishte i plotë, i drejtë dhe i paanshëm. Gjithsesi mënyrat e funksionimit në praktikë të hetimit të sinjalizimit elektoral do të detajohen më tej me rregulloret dhe udhëzimet përkatëse nga ILDKPKI, pas miratimit të amendamenteve.

Efiksiteti dhe zbatueshmëria e ligjit nr. 60/2016 pas amendamenteve

Pavarsisht miratimit të ligjit nr.60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve” më 2 qershor 2016, pritshmëritë nga zbatimi i këtij ligji që nga hyrja në fuqi e tij, mbesin akoma pa arritur qëllimin e planifikuar. Sipas të dhënave statistikore nga ILDKPKI, referuar përgjigjeve zyrtare bazuar në ligjin “Për të drejtën e informimit” nr. 119/2014, deri më tani rezulton se në total janë ngritur dhe funksionojnë 168 njësi përgjegjëse në sektorin publik. Nga ana tjetër, në sektorin privat janë ngritur dhe funksionojnë 444 njësi përgjegjëse. Pavarsisht përmbushjes së detyrimeve ligjore, që ua ngarkon ligji, sërish rastet aktuale të sinjalizimit të ndjekura nga këto njësi përgjegjëse brenda instititucioneve publike ose sektorit privat, janë të pakta. Vetë ILDKPI, si njësia përgjegjëse për sinjalizimin e jashtëm, deklaron se që nga hyrja në fuqi e këtij ligji deri në fund të vitit 2019 ka shqyrtuar në total 38 raste sinjalizimi dhe 5 raste kërkesë për mbrojtje nga hakmarrja të ardhur nga sektori publik. Vihet re se sektori privat edhe pse ligjërisht i mbrojtur, nuk ka gjetur akoma asnjë praktikë të zbatuar në kuadër të këtij ligji. Në përfundim të hetimit administrativ, nga 38 raste janë aplikuar vetëm 4 (katër) masa administrative me “gjobë”, si dhe janë zgjidhur rastet me konflikt interesi me dorëheqje nga detyra të zyrtarëve që kanë qenë në kushtet e konfliktit të interesit. Për sa i përket kërkesave për mbrojtje nga hakmarrja, rezulton sipas hetimeve administrative të ILDKPKI, se nuk kishte patur asnjë akt hakmarrje të marrë nga organizata ku sinjalizuesit ushtronin profesionin e tyre.

Përveç ILDKPI, si institucion përgjegjës për sinjalizmin e jashtëm, në njësitë përgjegjëse të institucioneve publike vihet re një mungesë totale e rasteve të sinjalizimit, duke dëshmuar për një mungesë efikasiteti në zbatimin e këtij ligji. Për të arritur në këtë përfundim, drejtuam kërkesë për informacion në zbatim të ligjit 119/2014 rreth 20 autoriteteve publike, ndërmjet të cilave 19 prej tyre nuk kishin patur asnjë rast sinjalizimi deri më sot. Këtu përmendim Ministrinë e Shëndetsisë, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Arsimit Rinisë dhe Sporteve, Ministrinë e Infrastukturës dhe Energjitikës, Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Agjencinë e Trajtimit të Pronave, Bashkinë Vlorë, Bashkinë Shkodër, Bashkinë Pogradec, Bashkinë Kuçovë, Bashkinë Lezhë etj.

I vetmi institucion që rezultoi të kishte patur raste të sinjalizimit të brendshëm ishte Agjencia Kombëtare e Ushqimit. Raste të sinjalizimit të brendshëm të trajtuara sipas ligjit nr. 60/2016 kishte patur vetëm një në vitin 2018. Me vendimin Nr. 1/1, datë 06.02.2019, pas përfundimit të hetimit administrativ, sinjalizimi nuk ishte provuar dhe natyrisht as e drejta e ankimimit të tij. Gjithashtu AKU thekson faktin që sinjalizuesi është akoma në marrëdhënie pune, dhe nuk ka patur asnjë lloj pasoje, për shkak të sinjalizimit të tij.

Pavarsisht mekanizmave ligjorë dhe mundësive të ndryshme që ofron legjislacioni shqiptar për të denoncuar rastet e dyshuara për afera korruptive, shihet dukshëm nga të dhënat statistikore të mbledhura, se besimi i publiku te institucionet shtetërore ose organet ligjzbatuese është i pakët. Ne jemi dëshmitarë të rasteve të publikuara në emisionet investigative, ku mijëra qytetarë i drejtohen çdo vit medias publike dhe asaj private për të denoncuar praktika korruptive, megjithëse shumë pak prej tyre arrijnë të përfundojnë në rrugë zyrtare. Në nje prej shkresave zyrtare, autoriteti publik i Bashkisë Lezhë përmend se një nga arsyet se pse nuk kanë patur të regjistruar asnjë rast sinjalizimi deri më sot, është për shkak të mentalitetit të qytetarëve.

Pyetja që ngrihet është a do të kenë të njëjtën nivel zbatimi me ligjin nr. 60/2016 amendamentet e propozuara për sinjalizuesit elektoralë dhe a do të jetë kjo inisiativë mjaftueshëm për të parandaluar rastet e korrupsionit ose manipulimit në zgjedhje, duke garantuar kështu zgjedhje të lira? Bazuar në rëzultatet e deri më tanishme nga ligji nr. 60/2016, do të thuhej se amendamentet, pavarësisht qëllimit dhe synimit të tyre, do të kërkonin një promovim shumë të madh nga institucionet përgjegjëse dhe shoqëria civile, për të arritur rezultatet e dëshiruara. Edhe pse reforma zgjedhore ka bërë mjaftueshëm bujë nga protagonistët politikë në media, vihet re se çështja e sinjalizimit nuk është promovuar mjaftueshëm për t`u parë si një nisëm që pritet të sjellë ndryshime të mëdha në mënyrën e organizimit të zgjedhjeve, dhe rrjedhimisht publiku vazhdon të jetë jo mirë i informuar me terminologjinë dhe kuptimin e sinjalizimit. Duhet kuptuar se sinjalizimi, nuk është zgjidhja finale ndaj korrupsionit, por gjithsesi është një nga mjetet që përmirëson qeverisjen e mirë, llogaridhënien duke krijuar institucione me baza të forta ligjore dhe morale.

Pse zgjedhjet ofrojne nje mundesi te mire qe sinjalizimi te kthehet ne nje instrument te dobishem per luften kunder korrupsionit zgjedhor por jo vetem?

Zgjedhjet janë themeli i demokracisë. Ato janë shprehje e vullnetit të popullit për të zgjedhur të përfaqësuarit e tyre, që do të jenë zëri i shumicës në procesin e bërjes së politikave dhe plotësimit të nevojave të bashkësisë qytetare. Mënyra se si zgjedhjet zhvillohen përcakton dhe nivelin e qeverisjes së ardhshme. Denoncimet në zgjedhje i japin një mesazh jo vetëm të zgjedhurve, por edhe qytetarëve, duke i ndërgjegjësuar ata për pasojat e veprimeve të tyre. Zgjedhjet e lira dhe demokratike i japin mundësi qytetarëve të shprehen për të zgjedhur interesin e tyre më të mirë në të ardhmen e afërt. Garantimi i zgjedhjeve të lira nuk është vetëm një detyrë e politikës, por një detyrë e qytetarëve. Ndaj për t’i dhënë një zgjidhje problematikës së korrupsionit ekonomik dhe politik, nevojitet jo vetëm vullneti i mirë i qeverisë dhe shoqërisë civile, por gjithashtu dhe përkrahje nga publiku i gjerë.

Integriteti publik është arma më e fortë në luftën kundër korrupsionit, duke fuqizuar në të njëjtën mënyrë rastet e sinjalizimit. Integriteti publik i referohet promovimit të vazhdueshëm të vlerave etike, parimeve dhe normave të përbashkëta shoqërore për ruajtjen dhe prioritizimin e interesit publik mbi interesat private në sektorin publik dhe jo vetëm. 3 janë shtyllat kryesore që ndihmojnë në krijimin e integritetit publik: Së pari, një sistem funksional që zbaton ligjin dhe rendin duke minimizuar në maksimum rastet për të patur sjellje korruptive; së dyti, ndryshimi i mentaliteti të shoqërisë dhe ndërgjegjësimit të tyre për ta bërë të papranueshëm një sjellje korruptive; së treti, promovimi i faktit se njerëzit duhet dhe mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.

Duke qenë se karakteristikë e sinjalizimit elektoral është dëshira për të ekspozuar dhe denoncuar një akt të gabuar ligjërisht dhe moralisht, duke përjashtuar kështu aktet hakmarrëse ose ato që cënojnë një të mirë pasurore individuale, këta sinjalizues janë dhe promotorët kryesor të ndërgjegjësimit të publikut qytetar por dhe ruajtësit e të mirave të përbashkëta publike.

Ndaj roli i sinjalizuesve në shoqërinë tonë është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për faktin që ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit, por rezultatet e denoncimeve të tyre shërbejnë si promovuesit kryesorë në fushatat e ndërgjegjësimit ndaj publikut të gjërë, duke krijuar kështu një sistem të bazuar në vlera, parime dhe moral të fortë, që forcon llogaridhënien e autoriteteve publike dhe për rrjedhojë përmireson mirëqënien ekonomike dhe sociale të individëve në veçanti dhe shoqërisë në tërësi.

SHARE